Presidenti i Republikës, Ilir Meta po zhvillon këto ditë një vizitë në viset e banuara nga bashkëatdhetarët
tanë në Mal të Zi, në Plavë e Guci. Në kuadër të kësaj vizite Presidenti Meta mori pjesë dhe përshëndeti
tubimin tradicional popullor “Mirë se vini në Alpet Shqiptare 2018”, që u zhvillua në Vuthaj të Plavës e
Gucisë, në Mal të Zi, me një pjesëmarrje të shumtë të shqiptarëve të ardhur nga Shqipëria, Mali i Zi,
Kosova, Maqedonia dhe trojet e tjera ballkanike të banuara nga bashkëkombasit tanë, shumë prej të
cilëve kishin ardhur nga Diaspora, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europa, Kanadaja, apo edhe nga
Australia e Zelanda e Re. Presidenti i Republikës u përshëndet përzemërsisht nga organizatorët si dhe
nga qindra banorë të kësaj treve, të cilët e mikpritën vëllazërisht vizitën e kreut të shtetit shqiptar në
Plavë dhe Guci, në kuadër edhe të Festivalit Folklorik Kombëtar “Kënga dhe vallja shqipe na bashkoi”.
Gjatë Festivalit Folklorik Kombëtar dhe tubimit masiv popullor traditicional të përvitshëm në Alpet
shqiptare, Presidenti Meta dhe të pranishmit ndoqën këngë e valle të intepretuara nga artistë të
ndryshëm shqiptarë si dhe garat popullore e tradicionale të mundjes, tërheqjes së litarit, vrapimet me
kuaj, hedhjes së gurëve, etj. Presidenti Meta u nderua nga drejtuesit dhe organizatorët e Festivalit
Folklorik Kombëtar si dhe nga Shoqata “Krenaria e Alpeve shqiptare” me titullin e veçantë vlerësues e
simbolik “Mirënjohje” për “Demokratizimin dhe integrimin e shqiptarëve në rajon”, që iu dorëzua kreut
të shtetit shqiptar nga kryetari i Këshillit Organizator, Tahir Gjonbalaj.
Tubimin tradicional “Mirë se vini në Alpet Shqiptare 2018” në Vuthaj të Plavë-Gucisë
Në gjirin e Alpeve Shqiptare, në Vuthaj-Guci, u mbajt tubimi, tashmë tradicional “Mirë se vini në Alpet
Shqiptare 2018”, në kuadër të të cilit u mbajt edhe festivali “Kënga dhe Vallja Shqipe na Bashkon”.
Në këtë tubim ishte edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dhe figura të tjera politike dhe
kulturore nga të gjitha trevat shqiptare. Tubimin e hapi drejtori i festivalit Tahir Gjonbalaj. Me një fjalë
përshëndetëse të pranishmëve iu drejtua edhe presidenti Meta.
Ai shprehu kënaqësinë që mori pjesë “në këtë manifestim dhe në këtë parajsë njerëzore dhe natyrore”.
Foli për mbresat që i la vizita në Plavë dhe Guci, dhe i porositi qytetarët shqiptarë që rruga nga Tirana
deri në Guci është vetëm tre orë dhe se është më afër se Kolashini, Zhablaku apo Mavrova dhe se kanë
ç’të shohin më shumë në Plavë dhe Guci dhe se pasi të vizitonin Plavë e Guci do ta kenë vështirë të
shkojnë në ndonjë vend tjetër malor.
Presidenti Meta premtoi që edhe vitin e ardhshëm do të jetë i pranishëm në këtë tubim, jo për
mirënjohje, por për të kënduar.Ndërkaq duke filluar nga data 30 korrik 2018, në Plavë – Guci me
defilimin e vet të filluar nga Komuna e Plavës dhe ajo e Gucisë, nën shoqërimin e Flamurit kombëtar, të
këngëve dhe valleve shqipe, u mbajt festivali i tretë mbarëkombëtar “Kënga dhe Vallja Shqipe na
Bashkon”.
Në këtë festival të karakterit garues, pjesëmarrësit u vlerësuan nga juria në përbërje: Azgan Haklaj,
president i Unionit Artistik të Kombit shqiptar, Dilaver Kryeziu, magjistër i koreografisë, profesoresha
Hasnije Kukaj Gjonbalaj, Deli Metalia, mjeshtër i madh, koreograf, dhe aktivistja e SH.K.A “Maja e
Karajfilit”, Mirjeta Gjonbalaj.
Në ditën e parë të festivalit morën pjesë: Shoqëria Kulturore Artistike “Liria”, nga Mileshi, Shoqëria
Kulturore Artistike “Fluturat” nga Ulqini. Në ditën e dytë u paraqiten: Shoqëria Kulturore Artistike
“Besa”, nga Trieshi dhe Shoqëria Kulturore Artistike “Komorani”, Folk Alb nga Tirana. Ndërsa në ditën e
tretë qenë: Shoqëria Kulturore Artistike “Kumanova”, Grupi i Folklorit “Medvegja”, Shoqëria Kulturore
Artistike “Jehona e Këlmëndit”, Shoqëria Kulturore Artistike “Jeta e re”, nga Kumanova dhe Shoqëria
Kulturore Artistike “Maja e Karanfilit” nga Plavë-Gucia.
Vendin e parë e fitoi Shoqëria Kulturore Artistike “Besa”, nga Trieshi; vendin e dytë Shoqëria Kulturore
“Folk Alb” nga Tirana”, kurse vendin e tretë Shoqëria Kulturore Artistike “Jeta e re” nga Kumanova.
Vendi për veshjen autentike më të mirë, i takoi Shoqërisë Kulturore Artistike “Këlmëndi” , ndërsa Çmimi
i publikut i takoi Shoqërisë Kulturore Artistike “Liria”, nga Mileshi, kurse çmimi special i takoi Shoqërisë
Kulturore Artistike “Fluturat” nga Ulqini dhe Grupi i Floklorit “Medvegja”.
Çmimi i rapsodit më të mirë të festivalit i takoi Shtjefën Ujkaj, ndërsa veteranët e Festivalit u shpallën
Dila Vaçaj dhe Martin Smajlaj.
Ky është viti i 21 që mbahet “Mirë se vini në Alpet Shqiptare”, si manifestimi i vetëm i këtij lloji i cili ka
për qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në Plavë-Guci.
Në kuadër të këtij aktiviteti Shoqata “Alpet Shqiptare” ndau Mirënjohje për presidentin Ilir Meta si dhe
“post mortum” për kolosin e Kosovës, Adem Demaçi. Dekoratën për familjen e Demaçit e dorëzoi
presidenti Meta, kurse e pranoi veprimtari i çështjes kombëtare dhe vëllai i dy dëshmorëve të kombit,
Fadil Fazliu.
Presidenti Meta, i emocionuar nga ky titull mirënjohje, nënvizoi se krenaria e alpeve shqiptare është
Plava dhe Gucia. Në fjalën e tij në festën e këtij viti, Presidenti Meta duke iu drejtuar të pranishmëve,
theksoi: “Plava dhe Gucia është një parajsë e vërtetë, e prekshme, njerëzore dhe natyrore. Është një
parajsë, e cila mund t’i sigurojë një të ardhme shumë më të mirë këtij komuniteti jashtëzakonisht
patriotik, i cili edhe në kushte të vështira ka ditur të mbijetojë, qëndrojë dhe të ruajë traditat më të mira
kombëtare dhe njerëzore të kësaj treve. Vizitova kullën 200-vjeçare të Çelajve dhe vërtetë jam shumë i
kënaqur për këtë eksperiencë që përjetova atje sepse mu duk sikur vërtetë vizitova dhe u ktheva në
historinë e gjithë kësaj treve të lavdishme, aq të pasur me vende historike dhe me kaq shumë
monumente natyrore”.
Ai ftoi gjithë shqiptarët të vizitojnë këto zona duke theksuar se rruga nga Tirana në Plavë është vetëm
tre orë. “Plava dhe Gucia ka një peizazh kaq të mrekullueshëm saqë vërtetë unë besoj që në pak vite një
ndryshim edhe më i madh ekonomik e social do të vijë këtu për të gjithë komunitetin. Jam i lumtur që
më në fund edhe rruga nga Tirana në Plavë e Guci është më pak se tre orë. Këtë duhet t’ua themi të
gjithëve në Shqipëri pasi me të drejtë shumë shqiptarë nga Shqipëria, të cilët i duan malet, turizmin
malor shkojnë prej vitesh në Kolashin, Zhablak, Mavrovë. Absolutisht unë jam i sigurtë se kur ata të vijnë
në Plavë e Guci do ta kenë të vështirë që të shkojnë në një vend tjetër”,-tha Meta.
Në fjalën e mbajtur në Vuthaj të Plavës e Gucisë, Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu mirënjohjen
për diasporën tonë, sidomos për bashkatdhetarët e Plavës dhe Gucisë, të gjithë shqiptarëve të Malit të
Zi, në SHBA dhe Europë për atë dashuri të pakufijshme që ata kanë për këtë trevë, të parët e tyre, për
ato investime të mëdha që ata kanë bërë, por edhe për të gjithë kontributin që ata kanë dhënë për
çështjen shqiptare historikisht në të gjithë kohët dhe momentet më të vështira. “Mirënjohje më të
madhe edhe për të gjithë ata që kontribuan për këtë festival, dhe që kontribuojnë vazhdimisht, që
ruajnë traditat tona, këngët tona, vallen dhe muzikën tonë, sepse duhet të jemi krenarë për këto vlera të
trashëguara dhe duhet t’i ruajmë dhe t’i trashëgojmë brez pas brezi. Rroftë populli i mrekullueshëm i
Plavës dhe i Gucisë! Rroftë diaspora jonë e jashtëzakonshme, së cilës i jemi mirënjohës të gjithë, dhe të
gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë! Rroftë ky Vit Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut që të na
bashkojë më shumë dhe të na forcojë akoma më tej identitetin tonë kombëtar!”,- theksoi Presidenti
Meta.