SH.K.A “Maja e Karanfilit”

SH.K.A “Maja e Karanfilit” u themelua me 28 nëntor të vitit 1989 në Vuthaj.

Përgjatë tre dekadave të punës së saj, SHKA “Maja e Karanfilit” ka patur aktivitete të shumëta artistike, në të cilat ishte pjesëmarrëse, bashkëorganizatore dhe organizatore e tyre. Kjo Shoqëri ishte pjesëmarrëse në të gjitha festivalet mbarëkombëtare, që nga koncertet e vogla e deri te Festivali i Gjirokastrës, i cili njihet si Festivali më madhështor mbarëkombetar. Po ashtu ka përfaqësuar edhe Shqipërinë në Festivalin Ballkanik në vitin 2008, i cili është mbajtur në Serbi.

Përgjatë 30 viteve, është vlerësuar me çmimet më prestigjoze të festivaleve dhe është kthyer në shembull se si një shoqeri nga një vend i vogël, mund të bëj jehonë të madhe, duke përcjellë mesazh të lartë me vlera kombëtare. Gjatë 30 viteve, edhe pse kushtet dhe rrethanat kulturore, politike dhe ekonomike na kanë kushtëzuar në maksimum, veprimtaria jonë nuk është ndalur asnjëherë. Kështu, në vitin 1996 Shoqëria jonë organizoi manifestimin tashmë tradicional “Mirë se vini në Alpet Shqiptare” dhe në skenë u shfaqën këngë, valle, drama dhe humor, duke lënë mbresa të papërsëritshme para publikut. Ky manifestim për vite me radhë mbledh vendësit, diasporën dhe shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare. Po ashtu e përcollën edhe perfaqësuesit e institucioneve të dy shteteve tona ,të Shqipëris dhe atij të Kosovës.

Ky manifestim u krijua me qëllim që t’i bashkojë shqiptarët nga të gjitha anët dhe deri sot këtë qëllim e ka mbërrijtur plotësisht. Po ashtu kjo Shoqëri bashkëpunon me OJQ ”Alpet Shqiptare”, si dhe e organizon Festivalin mbarëkombtar “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon”, që nga viti 2016, në Krahinen e Plavës dhe Gusisë, ku për një kohë të shkurtër mori jehonë në mbarë viset shqiptare dhe më gjerë, duke sjellë në skenë grupet më të mira nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.

Shoqëria jonë po ashtu çdo vit organizon Festën e Flamurit për nder të pavarësisë së Shtetit shqiptar. Sipas mundësive, shpesh kemi organizuar dhe mbajtur koncerte për nder të ditës së 7 Marsit.

Kur jemi tek pjesëmarrja në festivale, manifestime dhe koncerte kombëtare e ballkanike, SHKA”Maja e Karanfilit” është një emër mjaft i njohur për skenën dhe jurinë profesionale. SHKA-ja jonë njihet për ngjyrat që i sjell në skenë në mënyrë origjinale dhe të papërsëritshme, që nga veshja, e cila në pothuajse nga të gjitha veshjet vlerësohet me çmimin si veshja më e mirë, veshja më autentike e kështu me radhë, duke vazhduar te grupi më i mirë, valltarët më të mirë dhe interpretuesit më të mirë. Çmimet nga 3 vendet e para, pastaj çmime speciale, tituj dhe dekorata nderi për anëtarët e grupit në nderim të punës së tyre.